Nuk e di pse kam përshtypjen që sot do të jetë një ditë e mërzitshme. Është akoma ora 10:08, por më duket që kjo ditë s’do të përfundojë kurrë. Po mundohem të gjej ndonjë moment të gëzuar që të mund ta largoj pak mendjen nga gjërat që më mundojnë. Po mundohem t’i kujtoj ditët e fëmijërisë. Hmmm. Çfarë të kujtoj? Fëmijëria ime s’ishte kush e di se çka. Unë s’isha fëmijë i sherreve apo fëmijë shumë i shoqëruar. Kisha botën time, kisha librin shokun tim më të mirë dhe të pandashëm. Tash, pas kaq vitesh, pendohem që nuk e shijova fëmijërinë. Pendohem që kur të gjithë moshatarët e mi loznin së bashku unë lexoja libra që tash s’ua kujtoj as titullin dhe as që më hyjnë në punë ndonjë herë. Por… iku ajo kohë dhe s’kthehet më, kështu që s’ia vlen të lodhem kot.
Dua të përqendroj mendjen te adoleshenca, te ëndrrat që kisha për jetën time të ardhshme. E mendoja veten një gazetare të famshme; dikush që do punonte për të mirën e kombit; dikush që do i shfaqte brengat e popullit në mënyrë që dikush të ndërmerrte diçka për ta rregulluar situatën. Sa keq më vje që s’isha nga ato adoleshente që e kishin mendjen vetëm te minifundet, kënaqësitë, shëtitjet. Do kisha çfarë të kujtoja sot, do kisha ndonjë moment gëzimi për ta kaluar nëpër mend. Me gazetari s’arrita asgjë. Përjetova ëndrrën time për rreth një vit dhe më pastaj iu ktheva librave dhe shkollës.
Megjithatë, e jetova ëndrrën time. Sado që s’u bëra e famshme, e provova çfarë do të thotë të jesh para kamerave, të organizosh emision dhe të kesh njerëz që të dëgjojnë dhe të vlerësojnë për atë që di të bësh.
Në shkollë të mesme iu ktheva përsëri librave. Duhej të përgatitesha për shkollim universitar. Do lëvizja nga qyteti im në kryeqytet. Ishte moment i dhimbshëm ndarja me familjen time, sepse sado që fundjavat i kaloja në shtëpi përsëri më asgjë s’ishte njësoj. Fillova studimet dhe u përqendrova aty. I kisha vënë qëllim vetes t’i mbaroja me kohë dhe me sukses. Kisha sfida, kisha probleme gjatë rrugës, por ia arrita qëllimit tim.
Gjatë kësaj kohe njoha njerëz të ndryshëm. Njerëz të mirë dhe njerëz të këqij. Shokë të vërtetë dhe shokë të rremë. Njerëz të sinqertë dhe aktorë të përkryer. Njerëz që më respektuan dhe njerëz që më xhelozuan. Njerëz që më deshën dhe njerëz që më lënduan. U kalita për të kuptuar se jo gjithmonë merr atë që do dhe se jo gjithmonë njerëzit të kuptojnë drejtë.
Nga ajo vajza që iu ndihmoja të gjithëve kur kishin nevojë për mua, u shndërrova në atë vetjaken që mendonte vetëm për vete, sepse kur unë pata nevojë për njerëzit askush nuk mu gjend pranë.
Sidoqoftë, unë eca para dhe shumë nga ata njerëz mbetën të pafjalë kur dëgjuan për atë që unë arrita. Megjithëse mua nuk më bën përshtypje ajo gjendje ku jam sot, njerëzve ju duket diçka e madhe të punosh në qeveri dhe në një shkollë private në të njëjtën kohë. Njerëzit që takoj që sapo janë regjistruar aty ku isha unë më lakmojnë dhe duan të jenë në vendin tim, kurse unë ju lakmoj atyre që janë akoma studentë. Do doja shumë të kthehesha mbrapa në kohë dhe ta shijoja çdo sekondë të jetës. Asnjë roman që lexova dikur nuk më hyn në punë sot. Asnjë formulë matematike, reaksion kimik, rregull e inercisë nuk më hyn në punë.
Megjithatë, e kaluara është e kaluar dhe s’mund të ndryshohet, por e nesërmja mundet. Prandaj dua ta shijoj jetën dhe mos të pendohem pas disa vitesh përse bëra diçka por jo diçka tjetër.
Pra, përse rri këtu dhe mërzitem për gjëra që s’i bëra dhe kështu humb dyfish, sepse më ikin gjërat që mund t’i bëj tani?!